Adem JASHARI

Adem JASHARI

Adem Jashari u lind më 28 Nëntor 1955 në Prekaz, Komuna e Skenderajt. Ademi ishte djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit. Adem Jashari mësimet e para i mori në vendlindje kurse shkollimin e mesëm e përfundoi në Skenderaj. Adem Jashari, ishte edukuar në një frymë atdhetare në rrethin familjar, ngase Babai i Adem Jasharit, Shaban Jashari, ishte mësues në disa fshatra të Drenicës. Misioni i mësuesit, ishte obligim moral, kombëtar dhe atdhetar që Shaban Jashari e vazhdoi dhe e aplikoi edhe tek fëmijët e tij dhe të shumë breza më radhë, për të arsimuar dhe edukuar gjenerata të tëra në frymën e atdhedashurisë dhe duke kultivuar dhe ngritur vetëdijen kombëtare.

Akti i flijimit të Ahmet Delisë, ishte edhe një mësim shtesë për të dëshmuar veprën heroike të bashkëvendësve që kishin filluar prej kohësh duke kundërshtuar me armë bandat çetnike serbe. Kështu, këtë mesazh më së miri e kuptoi djali i tij Ademi, i cili që në moshën rinore u angazhua në veprimtarinë patriotike-ilegale duke marrë pjesë aktive në demonstratat e pranverës së vitit 1981. Menjëherë pas kësaj, një ngjarje tjetër që i jepi të kuptoj Adem Jasharit dhe familjes së tij, se pushteti serb nuk duhet lejuar që të zgjasë sundimin e tij, ishte edhe rezistenca e Tahir e Nebih Mehës kundër forcave ushtarako-policore jugosllave.

Ky akt i flijimit për atdhe, i Tahir e Nebih Mehës la mbresa të thella në shpirtin dhe vendosmërinë e Shaban, Adem dhe Hamëz Jasharit, të cilët në ceremoninë e varrimit të këtyre dëshmorëve, u betuan para trupit të Tahir Mehës se “Luftën që nise ti, do ta vazhdojmë ne, deri në pikën e fundit të gjakut.” Përcaktimi për t’u flijuar për atdhe ishte akti më sublim i Adem Jasharit dhe familjes së tij.

Kjo dëshmon se cili ishte orientimi i tij në kërkim të shtigjeve të lirisë dhe se si duhet bërë përpjekje dhe sakrificë për ta çliruar vendin nga dhuna dhe terrori i pushtetit serb. Kështu, veprimtaria atdhetare e Adem Jasharit, që në vitet e 80-ta kishte filluar që të marr kahe të reja duke u bërë anëtar i organizatave patriotike-ilegale të kohës. Gjatë kësaj periudhe kishte shpërndarë trakte, përmes të cilave kërkohej mobilizim i popullit për çlirim. Në grupin e Adem Jasharit bënin pjesë edhe atdhetarët si: Ilaz Kodra, Jakup Nura, Sahit Jashari, Hashim Thaçi, Sami Lushtaku, Fadil Kodra etj. Ndërsa, Adem Jashari për veprimtarinë e tij atdhetare e kombëtare do të shquhet për organizimin e protestave të fuqishme që u bënë në Skënderaj më 1989, në shenjë revolte dhe pakënaqësie ndaj ndryshimit të amendamenteve kushtetuese dhe suprimimit të Kushtetutës së Kosovës të vitit 1974, nga ana e Serbisë.

Si vazhdim i aktivitetit kombëtar, në vitin 1989 filloi të bëhet shkrirja e disa grupeve patriotike të ndryshme atdhetare brenda e jashtë Kosovës në Lëvizjen Popullore të Kosovës. Veprimtarët e LPK-së do të bëhen prijatar të lëvizjes çlirimtare gjithëpopullore dhe njëherit edhe të asaj për pajtimin e gjaqeve. Mirëpo, pas shuarjes së të gjitha institucioneve të Kosovës më 1990, ideja për t’u organizuar në aspektin ushtarak merr një dimension të ri, nga LPK-ja, e cila ende nuk vepronte krejtësisht publikisht.

Ky fenomen u pasqyrua sidomos pas vitit 1990 kur Adem Jashari kryen një aksion të armatosur mbi stacionin e policisë në Skenderaj, me ç’rast plagos një polic serb. Aksione të tjera në të cilat objekt sulmi janë patrullat serbe dhe stacionet e policisë, që merr pjesë vetë Adem Jashari me të tjerët janë edhe ato në Mitrovicë, tek Ura e Gjakut, në Shipol, në Runik, në Drenas etj. Kurse me urdhrin e tij janë bërë aksione të armatosura në Shtime, Prizren, Klinë etj. Vija e veprimit të këtij formacioni të armatosur është mbajtur në relacionin Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, që nga vitet 1990. Për dallim nga disa grupe të tjera që kishin ushtruar po ashtu në poligonet ushtarake të Shqipërisë, i vetmi formacion (bërthama) i Adem Jasharit nuk ishte shpërbërë. Një grup veprimtarësh nga Deçani arrestohet, kurse grupet tjera nuk janë të zëshme.

Me 3 nëntor të vitit 1991, në Shqipëri shkoi një grup veprimtarësh për t’i kryer ushtrimet e duhura ushtarake dhe për t’u stërvitur për luftën e armatosur. Në këtë grup bënin pjesë Adem Jashari, i cili i printe grupit, Ilaz Kodra, Sahit Jashari, Fadil Kodra dhe Murat Jashari. Pas përfundimit të stërvitjes, ky grup kthehet në Drenicë më 7 dhjetor 1991, i pajisur me armatim. Ky grup kishte për detyrë t’i zgjerojë radhët.

Shërbimet sekrete serbe i bien në gjurmë formacionit të armatosur dhe policia serbe ia mësyn rrethimit dhe kapjes së tij. Më 30 dhjetor 1991 ekspedita policore – ushtarake serbe ndërmori aksion për zënien e grupit. Por, këta veprimtarë nuk ishin armatosur dhe nuk kishin stërvitur për t’u dorëzuar, siç shprehej vetë Adem Jashari.
Adem Jashari, vëllai i tij që kishte qëlluar në pushime, Rifati, Hamëz Jashari, Fadil Kodra, Ilaz Kodra dhe Sahit Jashari, vendosin që të luftojnë dhe ta çajnë rrethimin me çdo kusht. Pavarësisht se policia kishte angazhuar numër të madh njerëzish, madje edhe teknikë të rëndë, autoblinda dhe helikopterë, pas rezistencës së grupit, nuk arrin t’i mposhtë luftëtarët. Kjo ngjarje bëri jehonë të madhe.

Nga shumë anë të Drenicës, atë ditë dhe atë mbrëmje kishin lëvizur njerëz që ishin të gatshëm për t’iu bashkangjitur rezistencës së Prekazit. Pas kësaj përleshjeje me forcat e policisë serbe, tërë grupi i Adem Jasharit kalon në ilegalietet, deri në fillimet e luftës çlirimtare në Kosovë.

Me 5 prill 1993, në shtëpinë e Adem Jasharit është mbajtur një takim i rëndësishëm. Përveç pjesëtarëve të formacionit të armatosur të Adem Jasharit, në këtë takim kishte edhe veprimtarë politikë. Në këtë takim vendoset që të zgjerohet formacioni ushtarak. Pikërisht në këtë takim Adem Jashari propozon që aksionet që kryheshin në Kosovë, të bëhen në emër të “Ushtrisë së Kosovës”. Në këtë takim vendoset që Komandant i Ushtrisë së Kosovës, të emërohet Adem Jashari. Sulmet mbi forcat policore serbe tashmë kanë një koordinim. Nga koordinimi, zgjerimi dhe strukturimi i grupeve të armatosura krijohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës (1993).

Adem Jashari së bashku me Hamzën dhe me shumë bashkëluftëtarë edhe në vitet e më vonshme u organizuan edhe më shumë dhe ndërmorën disa aksione kundër ushtrisë dhe të policisë serbe. Për këtë veprimtari atdhetare e kombëtare pushteti serb kishte organizuar edhe procedura penale, ku nga gjykata e Qarkut e Prishtinës, në mungesë, më 1997 shqiptohet dënimi me burg prej njëzet vjet për Adem Jasharin, Ilaz Kodrën, Sahit Jasharin, Fadil Kodrën, Jakup Nurën, Zenun Kodrën dhe Rexhep Selimin, ndërsa me 10 vjet “dënohet’’ Hashim Thaçi. Më këtë rast mund të themi se Adem Jashari ka qene i dënuar jo me 2O, por me 6O vjet burg, pasi që Serbia e kishte dënuar atë tri herë me nga 2O vjet burg në mungesë: në vitin l99l, pastaj me l996, dhe se fundi me l997.

Njësiti luftarak i Prekazit, identifikohet me emrin e Adem Jasharit, në saje të cilësive të larta strategjike, luftarake, në saje të karakterit dhe tipareve të tij ushtarake. Të gjithë njerëzit e interesuar që përmes kryengritjes së armatosur ta zgjidhin problemin e Kosovës ishin të interesuar të kontaktonin personalisht me Adem Jasharin, i cili tashmë, vite e vite qëndronte në Kosovë, në baza të shumta. Bërthama e tij luftarake, struktura e tij e armatosur ishte e gatshme për t’u rritur dhe për t’u zgjeruar.

Intensifikimi i aksioneve të armatosura të UÇK-së fillon me sulmin e shtatorit 1997 në 12 stacionet policore. Nga aksionet e armatosura kundër forcave policore që kryente UÇK-ja, pas shtimit të dhunës sistematike të forcave serbe nëpër Kosovë, kalohet në një fazë tjetër, të ndeshjes së drejtpërdrejtë me forcat serbe, pra në beteja, në fundin e nëntorit 1997, kur në Rezallë të Re luftohet me forcat e shumta të policisë serbe. Në këtë betejë i ndërpritet rruga kolonës së forcave serbe, që kishin mësyrë një sulm në fshatin Vojnik, ku një ditë më parë, patrullat e policisë serbe ishin gjuajtur me armë zjarri nga njëri prej luftëtarëve të hershëm të UÇK-së, Abedin Rexha – Sandokani. Në këtë betejë printe Adem Jashari dhe luftëtarë të tjerë si Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra, Ilaz Dërguti etj. Kjo është beteja e parë dhe fitorja e njësitit të UÇK-së. Kjo betejë bëri jehonë të madhe në opinionin publik.

Më 28 nëntor 1997, në varrimin e mësuesit Halit Geci nga Llausha, i vrarë nga forcat serbe që tërhiqeshin pas dështimit dy ditë më parë, UÇK-ja doli hapur në skenën politike dhe ushtarake të Kosovës. Dalja në skenë hapur e UÇK-së bëri që forcat serbe të sigurisë të mos ndjenin siguri në zonën e Drenicës. Ato filluan barrikadimin në punkte të caktuara me përforcime të veçanta. Por, aq sa fuqizohej dhe përhapej struktura e UÇK-së në terren, aq edhe përforcimet serbe shtoheshin. Provokimet dhe tentim sulmet e policisë serbe nuk pushuan.

Policia serbe, me njësitet e saj speciale organizoi një sulm mbi shtëpinë e Jasharëve më 22 janar 1998. Sulmi nisi në orët e hershme të mëngjesit, ishte i rrufeshëm, por hasi në rezistencën dhe gatishmërinë e madhe të familjes Jashari, e cila ishte e përgatitur dhe gjithnjë kujdestaronte ditë e natë. Njësia speciale e komandosëve serbë tërhiqet pas gjysmë ore, sepse anëtarët e familjes Jashari që ishin brenda shtëpisë u kundërpërgjigjën me zjarr. Ishte ky sulmi i dytë i forcave serbe mbi shtëpinë e Adem Jasharit. Në këtë përleshje plagosen dy vajza të reja të Jasharëve.

Si një kundërsulm ndaj aksioneve të forcave serbe, më 28 shkurt 1998, një grup bashkëluftëtarësh të udhëhequr nga Adem Jashari, sulmuan patrullat e policisë serbe duke vrarë katër policë dhe plagosur dy. Kështu, në vitet e 90-ta, Familjen Jashari, ishte bërë objektivi kryesor i sulmeve të forcave ushtarako-policore serbe që ishin dislokuar në Kosovë. Adem Jashari nuk i ndërpreu për asnjë çast aksionet ushtarake kundër forcave policore dhe ushtarake serbe deri në rënien heroike të tij.

Adem Jashari ishte i martuar me Adile Ramën nga Akrashtica dhe kishin pesë fëmijë, (tre djem dhe dy vajza). Lulzimi, Fitimi, Kushtrimi, Shqipja dhe Marigona.