Akti i themelimit

Akti i themelimit

PËR SHPALLJEN E KOMPLEKSIT PËRKUJTIMOR “ADEM JASHARI” NË PREKAZ ME INTERES TË VEÇANTË NACIONAL

Kuvendi i Kosovës,Në mbështetje të Rregullores nr. 2001/9 të datës 15 Maj 2001 për Kornizën Kushtetuese të Vetëqeverisjes së Përkohshme në Kosovë, veçanërisht Kreu 5.1 (e), dhe (l).

Duke marrë parasysh domosdoshmërinë e vënies në mbrojtje si zonë me interes të veçantë të kompleksit përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz, i cili ka rëndësi ontologjike, antropologjike, historike, kulturore për qytetarët e Kosovës,

Miraton:

LIGJIN PËR SHPALLJEN E KOMPLEKSIT PËRKUJTIMOR “ADEM JASHARI” NË PREKAZ ME INTERES TË VEÇANTË NACIONAL  

Neni 1

Me këtë Ligj përcaktohet statusi i Kompleksit përkujtimor "Adem Jashari" në Prekaz, kujdesi ndaj këtij kompleksi, mbrojtja nga ndikimet politike dhe obligimet e institucioneve të Kosovës.

Neni 2

Kompleksi përkujtimor "Adem Jashari" shpallet Zonë me interes të veçantë nacional për Kosovën dhe vihet në mbrojtje të institucioneve të Kosovës.

Neni 3

Kompleksi përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz ka rëndësi ontologjike, antropologjike, historike, kulturore e qytetare për Skenderajn, Drenicën, Kosovën dhe tërë kombin shqiptar.

Neni 4

4.1. Kompleksi përkujtimor “Adem Jashari” përfshin hapësirën e varrezave të dëshmorëve të kombit, ku prehen anëtarët e familjes Jashari, lokacionet banuese të kësaj familje, të lagjes Jasharaj dhe hapësirën tjetër nga e cila është bërë rezistencë e armatosur në mbrojtjen e dinjitetit të tyre dhe në mbrojtje të Kosovës.

4.2. Hapësira dhe sipërfaqja e plotë që përfshin kompleksin përkujtimor "Adem Jashari" do të përcaktohet me Planin Urbanistik të Kuvendit Komunal të Skenderajt.

Neni 5

Kompleksi përkujtimor "Adem Jashari" në Prekaz mbikëqyret dhe mirëmbahet nga ana e institucioneve të Kosovës dhe organet e pushtetit lokal.

Neni 6

Shpenzimet e mbikëqyrjes dhe mirëmbajtjes së Kompleksit përkujtimor "Adem Jashari" mbulohen nga Buxheti i Kosovës.

Neni 7

Qeveria e Kosovës do të sigurojë mjetet financiare për ngritjen e Kompleksit Përkujtimor "Adem Jashari" në Prekaz.

Neni 8

Është i ndaluar çdo veprim i partive politike, tubimet dhe manifestimet tjera partiake, brenda hapësirës së Kompleksit përkujtimor "Adem Jashari".

Neni 9

Ky Ligj hyn në fuqi pas miratimit nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe në ditën e shpalljes nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Ligji Nr.2004/39

8 shtator 2004,

Kryetari i Kuvendit të Kosovës,

Akademik Nexhat Daci