Akademi përkujtimore në 13 vjetorin e rënies së Jasharajve

Akademi përkujtimore në 13 vjetorin e rënies së Jasharajve

Prishtinë, 06 mars, 2011 - Ngjarjet e fillim marsit të vitit 1998 hynë në historinë më të re të Kosovës me tërë tragjedinë dhe madhështinë e vet, duke marrë shenjën e sakrificës sublime të njeriut dhe si të tilla u shndërruan në epopenë e lavdishme të UÇK-së, u tha në një akademi përkujtimore kushtuar komandantit Adem Jashari.

Nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës, të dielën është mbajtur një akademi përkujtimore kushtuar komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari dhe familjes së tij, e cila ra heroikisht për të mos vdekur kurrë 13 vjet më parë në Prekazin legjendar.

Të pranishëm në këtë akademi ishin struktura të larta të institucioneve të Kosovës, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, por jo edhe i pari i vendit, Behgjet Pacolli.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se falë luftës dhe sakrificës së Jasharajve dhe dëshmorëve tjerë ne sot po e përjetojmë lirinë dhe pavarësinë.

"5, 6 dhe 7 marsi i vitit 1998, vërtet hyri në historinë më të re të Kosovës me tërë tragjedinë dhe madhështinë e vet, ditët që në ritmin e vet brenda kalendarit do të ishin të rëndomta në rrethana të veçanta e morën shenjën e sakrificës sublime të njeriut dhe u shndërrua në Epope", ka thënë Krasniqi.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi, ka theksuar se rënia e komandantit legjendar Adem Jashari ishte një frymëzim për idetë më sublime të humanizmit dhe të demokracisë të vendosura në themelet e idesë së luftës së popullit tonë për liri dhe pavarësi.

"Sot në 13 vjetorin e rënies në altarin e lirisë, po e përkujtojmë veprën e kryekomandantit të UÇK-së Adem Jashari, heroit të Kosovës, figurën madhështorë të udhëheqësit dhe të frymëzuesit tonë për liri, i cili skepticizmin dhe vetëmohimin të tij, dhe të familjes së tij i kapërceu kufijtë e reales dhe të mundshmes duke u shndërruar në frymëzim për brezin tonë dhe për brezat që do të vijnë", ka thënë Krasniqi.

Akademik Esat Stavileci, duke e çmuar lart veprën dhe kontributin e komandant Adem Jashari, porositi institucionet e vendit se sot më shumë se kurrë duhet të punojmë për të ndërtuar një shtet të fortë ashtu siç ishte synimi i luftëtarëve të lirisë.

"Sot përkulemi para varrezave të popullit e të kombit, përkujtojmë trimërinë dhe sakrificën e tyre për ta shkruar një faqe të re në historinë tonë për nxitjen, zhvillimin dhe përshpejtimin e proceseve për liri e pavarësi të Kosovës dhe të shqiptarëve", ka thënë ai.

Në emër të familjes Jashari, me një fjalë rasti të pranishmit i përshëndeti Bekim Jashari, i cili uroi të gjithë shqiptarët për këtë përvjetor, duke porositur se ka ardhur koha që të punojmë së bashku dhe ta çojmë vendin përpara.

"Tash 13 vite ne ishim në Gjermani, dhe kur ndodhi rasti dhe shumë njerëz aty dhe njëri nga shokët i tha, baca Rifat, shumë ke dhënë, baca Rifat, 56 anëtarë të familjes të fisit të Jasharëve, mbahu i fortë. Baca Rifat i tha do të mbahem i fortë. Po si të mos mbahem ai pat thënë, kam dhënë 56, por kam fituar 7 milionë", ka thënë Jashari.

Ai u ka bërë thirrje liderëve të vendit që të lënë anash inatet individuale, dhe të bashkohen për të mirën e vendi.

Për të pranishmit në këtë akademi është shfaqur edhe një program kulturor-artistik.