Pacolli: Prekazi i dha vulën pavarësisë

Pacolli: Prekazi i dha vulën pavarësisë

Në ditën e dytë të manifestimeve “Epopeja e UÇK-së”, Prekazi sërish bashkoi zyrtarët më të lartë të vendit, të cilët bënë homazhe në përkujtim e nderim të sakrificës së familjes ikonë të çlirimit të Kosovës, familjen Jashari.

Në 13-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij, presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka bërë homazhe pranë Varrezave të Dëshmorëve në Prekazin legjendar. Ai me këtë rast ka thënë se Prekazi i bashkon të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe se aty është vulosur pavarësia e Kosovës.

"Prekazi është një vend që i bashkon të gjithë shqiptarët jo vetëm nga Kosova, por nga të gjitha trojet dhe diaspora. Lavdi dëshmorëve tanë, u qoftë i lehtë dheu i Kosovës. Këtu është vulosur pavarësia e Kosovës, të cilën ne e gëzojmë sot. Lavdi edhe njëherë të gjithë dëshmorëve që kanë rënë për lirinë e Kosovës", ka thënë Pacolli.