Shumë delegacione bëjnë homazhe në Prekaz

Shumë delegacione bëjnë homazhe në Prekaz

Në përvjetorin e 13-të të luftës në Prekaz, Kompleksi dhe familja Jashari janë vizituar nga shumë qytetarë dhe nga pak delegacione të institucioneve qeveritare, partiake e joqeveritare.

Delegacioni i parë ka qenë ai i Rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Rektori Mujë Rugova, pasi bëri homazhe tha shkurt se “Ka ardhur për të shprehur respektin e përjetshëm për Familjen Jashari dhe të gjithë dëshmorët e tjerë. Jasharët nga një u bëfshin një milion”. Ai ka vizituar edhe familjen Jashari të cilës ia ka dorëzuar bustin e Adem Jasharit, të punuar në bronz nga një student i Akademisë se Arteve. 

Rifat Jashari, ka falënderuar për vizitat dhe përkrahjen e gjithë popullit shqiptar dhe ka porositur që “të lihen anash inatet personale dhe të qitet Kosova në binar të duhur”. 

Ahmet Isufi (AAK)  tha se 5 marsi na kujton ditët më të lavdishme te Jasharajve, UÇK-së, popullit tonë dhe luftës së tij për liri. Kjo datë na mobilizon qe te jemi edhe më shumë në detyrat qe i nevojiten vendit tonë për ta zhvilluar dhe ngritur edhe më lartë edhe lavdinë e UÇK-së edhe krijimin e një jete më të mirë për qytetarët e Kosovës. Është ditë që na bashkon të gjithëve rreth një ideali për një jetë më të mirë dhe për të nderuar gjithmonë sakrificën e Jasharëve dhe të gjithë atyre që kanë rënë për lirinë e Kosovës. 

Albin Kurti (VV), ndërkaq, rikujtoi se këtu janë sakrifikuar 3 breza të familjes Jashari për çlirimin e vendit dhe lirinë e popullit tonë. Kosova që kemi sot nuk është Kosova e amaneteve dhe idealeve të dëshmorëve, por ne jemi në nivel të detyrës atëherë kur e kuptojmë se liria e vërtetë është vetëm liria e plotë dhe liria për të gjithë. I pyetur se a do të vije edhe nesër qe është Dita e Dëshmorëve, Kurti  tha se sot kemi ardhur me rastin e 13 vjetorit të rënies heroike të Adem Jasharit, por VV do të marr pjesë edhe në manifestimet qe organizohen nesër, në Ditën e Dëshmorëve. 

Homazhe kanë bërë edhe delegacionet e  komunave Malishevës  e Vushtrri, mandej pjesëmarrësit e turneve që mbahen në kuadër të  Javës “Jetojmë me lavdinë tuaj”, e qytetarë të shumtë.