Beteja e Gllogjanit

Pas Betejës së Jasharajve dhe Epopesë së UÇK-së në Prekazin legjendar, edhe Haradinajve u kishte ardhur radha që të sulmohen nga forcat policore serbe. Para agimit të 24 marsit 1998, fshehurazi qindra forca te armatosura serbe filluan te marshonin përmes fshatrave drejt veri-perëndimit. Serbët formuan unaza rrethimi rreth Gllogjani. Cak i sulmit ishte Familja Haradinaj e cila gjendej në shtëpi. Sulmi filloi disa orë më vonë, derisa forcat policore kishin vëzhguar lëvizjet në familjen Haradinaj. Sulmi nisi mbi Dautin, i cili derisa po kthehej për në shtëpi, një makinë policie doli nga fshati dhe tentoi ta kapte, mirëpo reagimi i Dautit nisi me rezistencë ushtarake. Dy policë dolën nga makina dhe hapen zjarr në drejtim të tij. Forcat e tjera serbe sulmuan me shpejtësi tani me makineri ushtarake. Pas pak kohe, një forcë speciale serbe arriti të hyjë brenda në oborr të shtëpisë së Haradinajve. Pas kundërsulmit edhe me granata dore kjo forcë speciale u tërhoq. Kështu, Beteja filloi të bëhet edhe më e ashpër kur helikopterët serbë ishin angazhuar që të vëzhgonin nga qielli por nuk sulmuan. Luftëtarët e UÇK-së tanimë kishin zënë pozicionet e tyre dhe filluan të sulmonin forcat serbe nga shumë anë. Më pastaj, forcat serbe sulmuan edhe nga helikopteri i cili qëlloi dy breshëri me eksploziva qe shpërthyen në dhe. Fshati u përfshi nga tymi dhe turbullimi. Serbet qe kishin mbetur donin te tërhiqeshin por nuk kishin guxim. Kërkuan përforcime por asnjë nuk u erdhi. Kështu, duke e parë këtë gjendje luftëtarët e UÇK-së hapen zjarr te dendur ndaj serbëve. Kësisoj, vazhdoi Beteja e Gllogjanit për gjatë gjithë ditës.

Beteja e parë frontale në Dukagjin, Beteja e Gllogjanit e 24 marsit 1998, ku forcat serbe pësuan humbjen më të rëndë, edhe pse përdorën forca të shumta këmbësorie dhe gjithë makinerinë luftarake. Qëndresa e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 24 mars 1998 në Gllogjan, nën drejtimin shembullor të komandantit Ramush Haradinaj, po hynte triumfalisht në histori, të cilën po e shkuanin me gjakun e tyre të njomë luftëtarët e lirisë. E në këtë ditë të shënuar, fatin e madh të bien për lirinë e atdheut do ta kenë edhe dëshmorët Gazmend Mehmetaj bashkë me djalin e axhës Agronin dhe bashkëluftëtarin Himë Haradinaj.

Forcat serbe, të befasuara nga rezistenca e fuqishme e luftëtarëve të lirisë, kishin zënë rob disa fshatarë të Gllogjanit, por edhe nxënësit e shkollës fillore “Hasan Prishtina” duke përdorur kështu “murin e gjallë” për lëvizje. Gazmendi, Hima e Agroni, kishin dalur në pikën e caktuar, ku do të takoheshin me bashkëluftëtarët tjerë për të marrë instruksionet për vazhdimin e qëndresës, Ata nuk ishin takuar as në kryetrimin Shkëlzen Haradinaj që kishte dalë më herët te pikëtakimi. Me të dëgjuar për zënien rob të nxënësve, të tre nisen drejt tyre, por në përballje me forcat serbe, snajperistët serbë i qëllojnë nga helikopteri. Ata edhe pse në moshë fare të re, po binin për lirinë e popullit të vet, po binin për të mbrojtur shkollën shqipe, për të mbrojtur nxënësit - të ardhmen shqiptare.

Kështu, forcat policore dhe ushtarake serbe u tërhoqën nga Gllogjani me humbje të madhe si me të vrarë ashtu edhe më dëme në tekniken ushtarake. Gllogjani dhe Familja Haradinaj u be baze e rëndësishme e UÇK-së, e cila u sulmua dhe dy herë të tjera me vonë, por nuk u mposht kurrë.

Pra, Beteja e 24marsit të vitit 1998, shënon fillimin e luftës frontale në Rrafshin eDukagjinit dhe njihet si Epopeja e Dukagjinit.