Beteja e Kaçanollit

Më 15 shtator 1998, forca të shumta policore dhe ushtarake serbe kishin ndërmarrë një ofensivë të gjerë në veri-perëndim të Llapit dhe rajonit të Shalës me qëllim të shpërbërjes së UÇK-së, por këtij qëllimi nuk ia arritën. Mbi 24 mijë forca serbe nga tri drejtime: nga Podujeva, Mitrovica e Vushtrria në mesin e të cilëve edhe paramilitarë e mercenarë për tri ditë me radhë me 15,16 dhe 17 shtator 1998, patën sulmuar pozicionet e UÇK-së në Dobratin e në Qafën e Kaqanollit aty ku bashkohet Llapi me Shalë.Beteja e Kaqanollit është një nga fitoret më të mëdha të UÇK-së jo vetëm në planin ushtarak por edhe atë moral me të cilin do të krenohemi të gjithë, pasi nga fitorja apo humbja e kësaj beteje varej shumë.

Duke qenë të bindur për këtë forcat e shumta serbe sulmuan pozicionet e UÇK-së duke e ditur se plani i tyre “Patkoi” mund të realizohej shumë lehtë nëse nuk do të haste në rezistencë në ZOLL-it. Por, llogaria u doli gabim pasi ato u prishën nga luftëtarët trima të Llapit që bënë një rezistencë të shkëlqyer duke i shkaktuar forcave dhe makinerisë serbe një humbje shumë të madhe.

Edhe kjo betejë si shumë beteja tjera gjatë historisë dëshmoi se morali i lartë i luftëtarëve dhe dëshira e madhe e popullit për liri është më e fortë se çdo çmim tjetër.Në këtë betejë u bënë bashkë dija ushtarake, sakrifica dhe heroizmi iluftëtarëve trima të Llapit të cilët i dhanë UÇK-së një fitore të rëndësishme.

Në dyluftimin e pabarabartë në teknikë luftarake me forcat serbe ranë dëshmorë shtatë luftëtar të kësaj ane  Bekim Maliqi, Bekim Lushaku, Habib Zeka, Nazmi Zhegrova, Fadil Sejdiu, Islam dhe Selim Rekaliu.

Nga ana tjetër luftëtarët e lirisë forcave serbe u shkaktuan shumë humbje si në njerëz ashtu edhe në teknikë luftarake. Forcat e okupatorit të zhgënjyer me humbjet që u sollën luftëtarët trima të UÇK-së në tërheqje e sipër vranë e masakruan dhjetëra civil, gra, fëmijë e pleq madje gjashtë nga ta i kanë djegur në lagjen e Lepajve.

Në këtë betejë si edhe në shumë beteja tjera komandantët e UÇK-së luftuan në vijën e parë duke u dhënë moral luftëtarëve. Andaj ngjarje të tilla të lavdishme janë vlera prej të cilave frymëzohemi dhe marrim forcën e duhur për të marshuar përpara.Duke kujtuar 15 shtatorin e vitit 1998 ne kujtojmë madhështinë e kësaj betejedhe dëshmorët  që ranë për të mos vdekur kurrë.

Nga kjo betejë ku fituam shtatë dëshmor që ranë në altarin e lirisë , UÇK-në e bëri edhe më të forte, imazhi i saj po ngrihej edhe më lartë, radhët e vullnetarëve për tu radhitur në këtë formacion ushtarak u shtuan edhe më shumë, si dhe bindja e krijuar nga populli për UÇK-në ishin fakte që tregonin mjaft mirë për suksesin e Betejës së Kaçanollit.Kjo Betejë e lavdishme e UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, njihet si Beteja e Kaçanollit.