Beteja e Koshares

Beteja e Koshares është një ndër betejat më të mëdha të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë së Serbisë.

Kufirin shqiptaro-shqiptar, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, shprehur figurativisht e ka thyer disa herë. Thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar, në fund të fundit ishte pjesë e programit politik të çdo organizimi klandestin të pas Luftës së Dytë Botërore, ishte pjesë e programit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në hapësirat e atij kufiri për 87 vjet më radhë janë mbjellur vdekje, është mbjellur urrejtje për armiqësi ndërshqiptare.

Nga ai brez i kufirit, ku konstruktoheshin armiqësi e vdekje, është kthyer në kufi të një jete të re, në kufi që ende formalisht ekziston një akull, që ruan ftohjen shpirtërore mes një kombi. Fati i kufirit, i akullsisë apo i ngrohtësisë së tij, do të varet nga përcaktimi ynë si popull. Nëse përcaktohemi për lëvizje e ndryshime dinamike, për vlera kombëtare e intelektuale, për demokraci e mëvetësi, nuk do të këtë akull në Alpet Shqiptare, dhe aspiratës së popullit do t'i hapen perspektiva të reja, më të thella se këto që i kemi sot. Nëse përcaktimi i popullit tonë do të jetë për amulli e inercion, për nostalgjinë e së kaluarës kosovare nën Serbi, akulli do të shkrihet në pjesën veri-lindore të Kosovës, e ardhmja e aspiratës do të jetë e zymtë. E bëra këtë digresion, më qëllim që të mësohemi, ta bëjmë praktikë njerëzore zëvendësimin e entuziazmit me realizmin, euforinë me strategjinë, dëshirat me vendosmërinë e së mundshmes.

Kosharja ishte pjesë e operacionit "Shigjeta", të hartuar nga SHP i UÇK-së, nga shefi i Shtabit, Agim Çeku, dhe stafi profesional, me miratimin e udhëheqësit politik, Hashim Thaçit. Planifikimi i depërtimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Koshare është planifikuar të bëhet më herët, por për arsye objektive, është shtyer për gati dy javë. Kjo vonesë bëri që edhe plani i aksionit për depërtimin që do të bëhej në Koshare u bë pjesë e pandashme e operacionit "Shigjeta". Përgatitjet përfundimtare e më serioze për operacionin në fjalë janë bërë në fund të marsit e në fillim të prillit 1999, pas fillimit të bombardimeve të NATO-së mbi makinerinë ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe mbi infrastrukrurën politike dhe ushtarake të FJ të Zhablakut, duke përfshirë: Beogradin, Novi Sadin dhe Podgoricën, etj. Të gjithë ushtarët e UÇK-së, që gjendeshin në Shqipëri, të formonin një formacion të përbashkët, që më vonë u quajt Brigada 138, dhe pas rënies së Agim Ramadanit mori emrin e tij. Fillimisht ky formacion kishte mbi 300 ushtarë (200 të Popajt e Babit e mbi 100 të Cahanit). Pas shpalljes së Mobilizimit nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, numri i ushtarëve do të arrin 800 deri në 1000 ushtarë. Ndihmë të madhe në teknikë dhe municion kanë dhënë, drejtpërdrejti ministri i Mbrojtjes, Azem Syla, e Xheladin Gashin që aso kohe ishte komandant i zonës së veriut në Shqipëri. Po ashtu, ndihmë të veçantë ka dhënë komandanti i Garnizonit të Kukësit, gjenerali Kudusi Lame, pra shteti dhe Qeveria shqiptare. Pas miratimit të Operacionit "Shigjeta", komandën e të gjitha trupave në Shqipëri do ta merr shefi i Operativës së UÇK-së, Bislim Zyrapi, komandanti i Operacionit "Shigjeta". Operacioni "Shigjeta", është planifikimi më serioz i SHP të UÇK-së dhe i Ministrisë së Mbrojtjes së QPK-së, për depërtimet më luftë nga Koshara dhe Pashtriku. Këto luftime janë më seriozet pas shpalljes së mobilizimit të përgjithshëm ushtarak nga Ministria e Mbrojtjes dhe SHP i UÇK-së.

Shkrirja e brigadës 131, komanduar nga Rrustem Berisha dhe brigada 134, në një komandë të vetme, me ç’rast komandant emërohet Rrustem Berisha, shef i Shtabit emërohet Agim Ramadani, ndërsa Salih Çekaj komandant për moral dhe politikë. Në radhët e kësaj brigade përfshihen oficerë dhe ushtarë nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe nga shtetet e tjera.

Pas përgatitjeve intensive dhe formimit të strategjisë luftarake, merret edhe vendimi nga Ministria e Mbrojtjes nga i cili komanda e brigadës bëri një ndryshim nisur nga parimi se: lufta për çlirimin e vendit fillon nga njëra anë e kufirit dhe përfundon në skajin tjetër..., ku rekomandohen stafi komandues dhe oficerëve të tjerë të brigadës, për mësymjen dhe heqjen me luftë të armatosur të kufirit në mes Shqipërisë e Kosovës, vendim i cili u mor para fillimit të sulmeve të NATO-s. Ky akt, për të cilin ishin të njoftuara edhe Qeveria e përkohshme e Kosovës dhe instanca tjera, ndodhi në mëngjesin e hershëm të datës 9 prill të vitit 1999, në Kosharen legjendare, ku për afër tre muaj rresht u zhvillua një nga betejat dhe epopetë më të lavdishme të UÇK-së. Në këtë betejë ranë heroikisht në altarin e lirisë 114 dëshmorë të kombit, në mesin e të cilëve edhe tre dëshmorë të huaj. Lufta ishte e ashpër dhe pa ndërprerje.

Ndër betejat më të ashpra, ishte ajo e 19 prillit, të vitit 1999, në vendin e quajtur "Rrasa e Koshares" bie heroikisht, për të mos vdekur kurrë, veprimtari dhe atdhetari i shquar i kauzës sonë kombëtare, Salih Çekaj. Kah përfundimi i luftës, brigadës i ndërrohet "shifra" GO3 dhe emërtohet "Brigada 138 Agim Ramadani".

Beteja e Koshares, e cila identifikohet me thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe njihet si një betejë historike që bëri kthesë të madhe në luftën e UÇK-së për lirinë e Kosovës. Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri qindravjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Prandaj ish-luftëtarët e kësaj beteje, luftën kundër forcave ushtarake e policore serbe në Koshare e konsiderojnë si një betejë historike të luftës së UÇK-së.

Beteja e Kosharës ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë, si dita kur në frontin e luftës ranë heroikisht Agim Ramadani, Salih Çekaj e shumë të tjerë.