Beteja e Rezallës

Më 25 nëntor 1997 forca të shumta policore serbe kishin sulmuar fshatin Vojnik, pas rezistencës së luftëtarëve të UÇK-së, forcat serbe tërhiqen. Mirëpo, të nesërmen, konkretisht me 26 nëntor 1997, forcat policore dhe ushtarake serbe ndërmarrin një aksion tjetër të orientuara në dy drejtime për të hyrë në Vojnik. Beteja frontale do të zhvillohet ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe në Rezallë të Re, të cilën e udhëhiqte Komandanti i UÇK-së Adem Jashari. Këto luftime u bënë gjatë gjithë ditës dhe ishin shumë të ashpra, ngase forcat serbe në këtë aksion përdorën makineri të përsosur ushtarake madje edhe helikopterë, për të mundur luftëtarët e UÇK-së. Mirëpo, luftëtarët e UÇK-së ishin të organizuar mirë dhe përdorën strategji dhe taktikë ushtarake, duke sulmuar me profesionalizëm forcat serbe, të cilat u detyruan të tërhiqen. Më këtë rast duhet theksuar se, humbja që forcat policore serbe në këtë Betejë, ndikoi që forcat armike të ndërrojnë taktikën e ballafaqimit luftarak me UÇK-në. Policia serbe, pas humbjes që pësoi në këtë Betejë, gjatë tërheqjes në shenjë hakmarrje sulmon shkollën e Llaushës dhe vranë mësuesin Halit Geci. Mësuesi Halit Geci do të varroset në shënimin e Ditës së Flamurit, festës tonë kombëtare, me 28 nëntor 1997. Po në këtë ditë, do të gjejë arsye që të paraqitet publikisht edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke hapur kështu epokën më të ndritshme, më të lavdishme dhe më krenare, Epokën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Beteja e Rezallës dhe dalja publike e UÇK-së, si dy komponente do të shënojnë kthesë në historinë më të re të Ksoovës.