Zona Operative e Karadakut

Zona Operative e Karadakut është njëra nga zonat me aktivitetin më të kufizuar ushtarak gjatë luftës çlirimtare të organizuar dhe të udhëhequr nga UÇK-ja. Krahasuar me periudhën e para viteve ’90, kur lëvizja atdhetare kishte një ngecje të dukshme, bile edhe të pakuptimtë. Këtu ndoshta kanë mundur të ndikojnë disa faktorë, si: veprimtarët e kësaj zone si shumë e patën ushqyer pacifizmin, i patën lënë pak hapësirë mendimit të kundërt, në vitet e para të ekzistimit të UÇK-së këtu nuk është bërë asnjë aktivitet ushtarak. ShP i UÇK-së duke i parë këto pengesa, ngathtësinë e shtrirjes dhe mungesën në armatim, këtë zonë e la edhe si vijë për furnizim.

Vetëm pas shpërthimit të luftës në Drenicë, ka qenë shtuar interesimi dhe inkuadrimi i njerëzve në radhët  e UÇK-së. ShP i UÇK-së ishte mjaftë i interesuar për të filluar organizmin ushtarak në atë anë. Për këtë punë do të ngarkohet Jakup Krasniqi, pasi kishte lidhje të mira me disa veprimtarë të viteve ’70-ta e të ‘80-ta.

Fillimisht për këtë gjë kishte biseduar me Ilmi Ramadanin (dy herë i burgosur politik), i cili gjithnjë ishte i gatshëm për veprimtari në shërbim të popullit e të atdheut. Ilmiu do të shkojë në Gjilan dhe do të marrë kontakte me Abdullah Tahirin, Ahmet Isufin dhe Shemsi Sylën. Abdullah Tahiri u tregua më i gatshmi dhe më entuziasti për t’u angazhuar në organizmin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me ndërmjetësimin e Ilmiut, Abdullah Tahiri, Ahmet Isufi e Shemsi Syla do të vijnë në ShP, ku kishin biseduar gjerë e gjatë për organizmin e UÇK-së në këtë Zonë. Pas dy a tri netësh sa qëndruan në Drenicë, kthehen në Gjilan për t’u marrë me organizmin ushtarak. Pas eskalimit të luftës, sidomos ofensivës së verës së vitit 1998, këta do të vihen në lidhje me NZOLL-in. Këto lidhje do t’i mbajnë deri në fund të vitit 1998. Në fillim të vitit 1999 komandant i Zonës do të emërohet Ahmet Isufi. Si kudo, edhe këtu është ndjerë mungesa e madhe e mjeteve financiare, mjete që ishin bllokuar nga e qeveria e Bukoshit.