Zona Operative e Nerodimës

Zona Operative e Nerodimës fillimisht shtrihej nga fshatrat e Drenicës: Shalë, Fushicë, etj., e deri në Glloboçicë. Më vonë do të shtrihej nga Gryka e Carralevës e gjerë të Glloboçica. Kjo zonë përfshinte territorin e këtyre komunave: të Lipjanit, të Shtimes, të Ferizajt, të Kaçanikut dhe të Shtërpcës. Në qershor të vitit 1998, me vendim të ShP të UÇK-së, Shukri Buja emërohet komandant i Zonës Operative të Nerodimës.

Me vendim të ShP të UÇK-së, ata vendosën në Kleçkë prej nga do të përgatitshin për të bërë organizmin e formacioneve të UÇK-së për Zonën e Nerodimës. Pasi marrin një përvojë të organizmit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatrat e Drenicës (që ishin nën administrimin e Lypjanit) në Shalë, Krojmir etj., ku kishte një organizim të mirë të UÇK-së, organizim ky që shtrihej në Grykën e Carralevës, të fshatrave malore të Shtimes, Ferizajt dhe Kaçanikut, ata u vendosën në fshatin Mollapolc të Shtimës.

Bazë e parë e UÇK-së për atë anë ishte familja e “Plakut” Ahmet Mujota, prej ku bëhej organizimi dhe koordinimi i formacioneve ushtarake të UÇK-së. Në Mollapolc, Shukri Buja, Agim Bajrami dhe Imri Ialzi i ndajnë detyrat e veprimit: për Shtime e Lypjan caktohet Shukriu, për Kaçanik Agim Bajrami,  ndërsa për Ferizaj Imri Ilazi. Për Ferizaj fillimisht ishte i ngarkuar Rexhep Bislimi i cili pas fillimit të luftës burgoset dhe pas 6 dite vdes në tortura. Pas shtrirjes me sukses të formacioneve të UÇK-së në ketë zonë kontribuon shumë Ahem Qeriqi, Heset Sahiti, Fitim Selimi, Ramiz Qeriqi “Luani” në komunën e Lypjanit e në Shtime, Fehmi Mujota e Ruzhdi Salihu, në Ferizaj, Ilmi Reçica, Sami Hajrullahu, Naim Beka, Rexhep Bislimi, Qamil Xhemajli etj.

Agim Bajrami kishte shtrirë ndikimin në shumë fshatra të Kaçanikut. Pas një pune të frytshme armiku i bie në gjurmë veprimtarisë së Agimit, komandant “Zefit”, i ngritin pusi, dhe pas një lufte të pabarabartë por heroike ai vritet. Në këtë Zonë luftimet më të ashpra janë zhvilluar në Grykën e Carralevës, e mbyllur për armikun më 1 korrik 1998. Luftimet janë bërë në Jezerc, beteja e 26,27 dhe 28 shtatorit 1998, në Reçak, masakra e 15 janarit 1999 dhe luftimet e Kaçanikut.

Në luftimet në Jezerc, ku është zhvilluar njëra nga betejat më të lavdishme të UÇK-së, kanë rënë heroikisht vëllezërit: Bajram e Gursel Sylejmani nga Sadovina e Vitisë dhe Sejdi Sejdiu nga Jezerci. Në mbrojtje të Reçakut ka rënë komandanti i Brigadës, Ahemt Kaçiku, në mbrojtje të Kaçanikut ka rënë Qamil Ilazi, komandanti Brigadës. Këto rënie janë dëshmi e gjallë se komandantët e UÇK-së nuk komandonin nga bunkerët në prapavijë, por në vijat e para të frontit. Kështu ishte në të gjitha ZO të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rënia e komandantëve në vijat e para të frontit është vlerë e veçantë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.