Zona Operative e Shalës

Në fshatin Oshlan Zona Operative e Shalës kishte Shtabin Komandues. Nga kjo zonë UÇK-ja furnizohej dhe merrte direktivat dhe urdhrat gjatë operacioneve luftarake. Për këtë arsye armiku kishte përqendruar forca të mëdha në këtë hapësirë dhe përpiqej që më çdo kusht të shkatërrojë dhe të thyejë këtë rezistencë të luftëtarëve tanë dhe shtabin komandues - ZOSH-in. Lufta kishte marrë dimensione të gjera. Komandant i Zonës Operative të Shalës ishte emëruar Rrahman Rama kurse zv. Komandanti i Shalës, Mensur Kosumi. Në këtë Zonë vepronte Brigada 152 “Mehë Uka” e cila kishte një strukturë të mirë të organizmit. Komandanti i saj, Hysni Ahmeti, kishte një përvojë të mirë ushtarake. Kishte strukturuar mirë gjithë kuadrin udhëheqës të Brigadës. Shala kishte konfiguracion strategjik, ishte dhuratë e natyrës për stërvitje, luftë dhe art ushtarak.